28 Nëntori – Albradio me program festiv Maratonik
Me rastin e 28 Nëntorit, stafi i Albradios organizoi një Maratonë të larmishme festive, e cila u shndërrua në një ngjarje të paharrueshme për komunitetin shqiptar në Zvicër. Gjatë ditës, u përgatitën shumë befasi për audiencën, si mysafirë të veçantë që vizituan studion tonë, ashtu edhe biseda interaktive që zhvilloheshin gjatë emisioneve. Maratona festive filloi në ora 07:00 të mëngjesit të së Enjtes së 28 Nëntorit dhe fillimi nisi me Hymnin Kombëtar dhe u mbyll në ora 19:00. Moderatorët e albradios ishin sinkronizuar me skenar të larmishëm duke filluar mëngjesin me Anton Zefi, pastaj me moderatorën Shqipe Beqiri, Veton Dizdari, Astro Ajvazi dhe përmbylljen e maratonës festive kësaj radhe e bëri Blenda Cikollar-Nyfeler.
Programi festiv përmbante informacione të pasura nga historia jonë e lavdishme, duke transmetuar sekuenca audio nga ngjarjet historike dhe duke jehuar këngë me karakter patriotik, të cilat ngjallën emocione edhe te stafi i albradios e edhe te audienca.
Nuk kishte një nisje më të bukur të kësaj date të veçantë se sa të kishim me mëngjes në vizitë njeriun e parë që përfaqëson shtetin e Kosovës në Zvicër, Shkelqësinë e tij, Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Mentor Latifi, i cili, pavarësisht agjendës së tij të ngjeshur, gjeti kohë për të na vizituar në këtë ditë të rëndësishme për të bashkëbiseduar me audiencën e Albradios e në të njejtën kohë edhe për të përquar mesazhe inkurajuese për bashkatdhetarët tanë. Kjo vizitë e tij përfaqësoi një moment të rëndësishëm për të gjithë ne, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve mes diasporës dhe atdheut.
Qershi mbi tortë ishin 13 fëmijët e shkollës shqipe, të cilët ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në Neuenhof, që na erdhën dhe na u bashkuan gjatë pauzës së shkollës normale një-orëshe, duke kënduar himnin “Flamuri” dhe duke recituar poezi për 28 Nëntorin. Ky moment u shndërrua në një simbol të unitetit dhe krenarisë kombëtare, duke i dhënë një ngjyrë të veçantë festimeve tona ku me këtë rast edhe bashkbiseduam me mësuesin Dr. Vaxhid Sejdiu, kordinator i Shkollës Shqipe në Zvicër.
Nga mesi i pasditës, kishim kënaqësinë ta mirëprisnim gjithashtu Konsulin e Republikës së Kosovës në Cyrih, me të cilin zhvilluam një bashkëbisedim rreth aktualiteteve dhe punëve që konsullata jonë i shërben qytetarëve kosovarë. Kjo bisedë ofroi një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar sfidat dhe arritjet e komunitetit tonë në Zvicër.
Albradio ftoi bashkatdhetarët dhe familjarët e tyre që të vinin në studio për të ngritur dolli për këtë datë festive dhe na u bë qejfi që patëm mysafir të rastit pasi që dyert ishin të hapura për publikun e gjërë. Mysafirët që vinin u impresiononin nga angazhimi dhe puna e palodhur që ekipi ynë i Albradio-s po bën për të shpërndarë emocione dhe informacione aktuale kryesisht për komunitetin shqiptar në Zvicër.
Përveç kësaj ngjarjeje festive, Albradio mban tri cikle maratonike gjatë vitit, me emisione të plota dhe skenare të përshtatshme për datat e rëndësishme si 17 Shkurti (Dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës) dhe 28 Nëntori. Këto aktivitete janë një dëshmi e përkushtimit tonë për të ruajtur dhe promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në diasporë.
Në këtë mënyrë, Albradio vazhdon të jetë një urë lidhëse mes shqiptarëve të Zvicrës dhe atdheut, duke krijuar një hapësirë ku historia, kultura dhe traditat tona jetojnë dhe festohen me krenari.