Bie kulmi në objektin e komunës së Prishtinës, lëndohet rëndë një 23 vjeçare

Një person është lënduar pas rënies së kulmit të ndërtesës së Komunës së re të Prishtinës.

Lajmin për mediat në Prishtinë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit”  në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”, tha ai.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, shtoi Borovci.

Ndërsa, ka potencuar se policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat.

“Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha  rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.

Ekipet e emergjencës së Prishtinës janë në vendin e ngjarjes, teksa rruga është e bllokuar nga Policia për qarkullim të automjeteve.

Aktualisht situata shëndetësore e vajzës 23 vjeçare që është lënduar pas rënies së kulmit të ndërtesës së Komunës së re të Prishtinës, është stabile, por që lëndimet trupore që ka marrë janë të rënda.