Gati 39 mijë qytetarë kanë aplikuar për pasaporta nga 3 janari
Afër 39 mijë qytetarë kanë aplikuar për upasaporta të Republikës së Kosovës që nga 3 janari e deri tash. Ky numër po konsiderohet mjaft i madh në Agjencinë për Regjistrim Civil, ku thonë se po punojnë në kushte të jashtëzakonshme e ku do të kalojë më shumë se 30 ditë, derisa qytetari të pajiset me pasaportë, raporton Kosovapress.
Në Agjencinë për Regjistrim Civil, thonë se vonesa për më shumë se një muaj për t’u pajisur me pasaportë, po ndodh për shkak se prodhimi nuk po mundet të zë hapin e aplikimeve.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, ka thënë për KosovaPress, se i kanë ngritur të gjitha kapacitetet për të pajisur qytetarët me pasaporta, për shkak se janë në gjendje të jashtëzakonshme.
“Saktësisht i kemi 38.708 qytetarë që kanë aplikuar për pasaporta që nga 3 janar 2024, deri më dje, kështu po e shohim që është një numër shumë i madhe, kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha. Ne i kemi ngrit të gjitha kapacitetet për t’i pajisur qytetarët me pasaporta, por prodhimi nuk mundet të zë sa është numri i qytetarëve që janë duke aplikuar për pasaporta, në këtë situatë jemi në gjendje të jashtëzakonshme”, tha ai.
Camaj u shpreh se qytetarët duhet të presin 30 ditë që të marrin pasaportat, pasi që janë në situatë të jashtëzakonshme nga fluksi i madh i aplikimeve.
“Që t’i njoftojmë qytetarët dhe t’i garantojmë se Ministria e Punëve të Brendshme ka pasaporta të mjaftueshme dhe iu garantojmë se ne jemi të furnizuar dhe kemi kontratë për 3 vite, kështu që qytetarët duhet të ndjehen të lirë sepse ne kemi pasaporta të mjaftueshme por duhet të presin radhën deri sa të prodhojmë pasaportat dhe të pajisen me to…..Realisht me kushte normale është 15 ditë afati ligjor por në kushte të jashtëzakonshme siç jemi tani, sigurisht që do të kaloj edhe 30 ditëshe dhe nuk do kemi mundësi që t’i pajisim me pasaporta, sepse prodhimi nuk po mundet të zë hapin e aplikimeve”, shtoi ai.
JSipas tij, edhe qytetarët serbë janë duke aplikuar për pasaporta të Republikës të Kosovës.
“Edhe qytetarët serbë që kur kemi filluar me liberalizimin e vizave, kërkesat janë në rritje dhe në komunat veriore, gjithashtu edhe në komunat jugore, të cilat janë me shumicë serbe, qytetarët serbë vetëm janë duke aplikuar, është numri në rritje për pajisjen me pasaporta …. Në vitin e kaluar kanë qenë 22 mijë deri në 24 mijë mesatarja mujore, ndërsa në muajin dhjetor të vitit të kaluar janë 36.665 që kanë aplikuar qytetarët vetëm në muajin dhjetor… Mirëpo nëse e llogaritim muajin janar 2024 me janarin e viti 2023, numri është më shumë se i dyfishuar, vetëm në dhjetë ditë pune kanë aplikuar për pasaporta rreth 38 mijë qytetarë”, përfundoj ai.
Përndryshe, zyrtarë në Aeroportin e Prishtinës, kanë njoftuar se nga data 1-15 janar 2024 në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë janë regjistruar 103.248 udhëtarë në shkuarje, apo 20.531 udhëtarë më shumë se dyjavëshin e parë të vitit 2023.
“Kemi rreth 20% fluturime më shumë dhe rreth 15% udhëtarë më shumë se sa në periudhën e vitit të kaluar. Përafërsisht 112 fluturime janë më shumë dhe rreth 23 000 udhëtarë më shumë”, kanë potencuar zyrtarët e Aeroportit./