Arrestohet shtetasi shqiptar që trafikoi kokainë në Itali

Një shtetas 31-vjeçar është arrestuar, pasi akuzohet se për shtatë vite ka trafikuar drejt Italisë sasi të mëdha lëndësh narkotike kanabis dhe kokainë.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit ka bërë me dije se është finalizuar operacioni policor i koduar “Jeran”, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe. Pjesëtar i një grupi kriminal që për një periudhë 7-vjeçare, trafikoi në Itali, 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë, arrestohet me qëllim ekstradimin, 31-vjeçari.

Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe finalizuan operacionin policor të koduar “Jeran”.

Gjatë operacionit u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi K. U., 31 vjeç. Gjykata e Milanos i ka caktuar 31-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.

Nga hetimet rezultoi se grupi kriminal në të cilin ishte pjesëtar shtetasi K. U., gjatë periudhës 2015-2022, ka trafikuar në Itali, rreth 3.4 tonë kanabis sativa dhe 35 kg kokainë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar 195 mijë e 953 euro dhe 1 mijë e 430 franga të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Romë, për ekstradimin e këtij shtetasi.