Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 AAK e NISMA bëjnë koalicion parazgjedhor
17 Janar, 2024

AAK e NISMA bëjnë koalicion parazgjedhor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA Socialdemokrate, këtë të mërkure, kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhore, që nënkupton se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare këto dy parti do të garojnë së bashku.

Marrëveshja në mes të dy partive opozitare, njëra parlamentare e tjera jo, u nënshkrua nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Në fjalën e tij, kreu i AAK-së theksoi se deri në këtë pikë kanë ardhur pas diskutimeve të shumta që i kanë pasur, derisa bëri me dije se ky partneritet do të zgjerohet me akterë politik dhe jo vetëm, por nuk specifikoi se me kënd konkretisht.

“Në diskutimet tona të gjata, që kanë ndodhur për muaj, kemi vlerësuar se qytetari i Kosovës ka mbetur i papërfaqësuar dhe është lënë vetëm, e në raste të caktuara edhe i luftuar prej atyre që do duhej të përkujdesej për të; në këto raste i motivuar nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri [Albin] Kurti”, tha Haradinaj.

“Ku shihen këto shenjat e luftës që qeveria i bënë ndaj qytetarëve të vet; së pari ndaj kategorisë së lirisë, që janë luftuar nga kjo qeveri, pastaj e mbani mend grevën e arsimit dhe si janë trajtuar mësimdhënësit…”, shtoi.

Foto: Ramush Haradinaj

Nga ana tjetër, kreu i NISMA-s potencoi se marrëveshja mes dy forcave politike është “një lajm i mirë për Kosovën politike, për qytetarët e Kosovës”.

“Tash e një kohë jemi dëshmitar për gjendjen në të cilën është vendi ynë, Kosova. Më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e forcave politike që kanë çfarë t’i japin vendit, dëshirojnë ta shohin ndryshe zhvillimin e vendit, pozicionin e Kosovës, rrugëtimin e saj gjeostrategjik, e shumë e shumë arsye që ne besojmë që qytetarët e Kosovës do të donin t’i shihnin më mirë”, tha ndër të tjera Limaj.

Zgjedhjet e ardhshme në kushte normale do të mbahen në shkurt të vitit 2025, ndonëse janë shtuar zërat – edhe nga vetë zyrtarët e lartë të partisë që ka pushtetin, Lëvizjes Vetëvendosje – se mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021 – të fituara me mbi 50 për qind nga Lëvizja Vetëvendosje – AAK dhe NISMA, posaçërisht kjo e fundit, nuk patën rezultate të mira.

AAK e Ramush Haradinajt mori besimin e vetëm 7.1 për qind të qytetarëve të Kosovës, apo përkthyer në mandate deputetësh, 7 sosh.

Nga ana tjetër, NISMA e Fatmir Limajt kishte siguruar vetëm 2.63 për qind të votës totale, për të mos e kaluar kështu pragun prej 5 për qind, që do t’i siguronte asaj ulëse në parlament.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE