Agim Ramadani ishte strateg ushtarak dhe lider me vizion
“Agim Ramadani ishte strateg i jashtzakonshëm ushtarak dhe lider me vizion. Ai besonte tek liria dhe drejtësia. Beteja e Koshares do të mbetet përgjithmonë simbol i lavdisë dhe trimërisë në historinë tonë kombëtare”, ishin fjalët e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, për Komandantin Agim Ramadani – Katanën, në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih.
Në praninë e mbi 500 mërgimtarëve nga Zvicra, Zëvendëskryeministres znj. Donika Gërvalla, Ministrit të Mbrojtjes z. Ejup Maqedonci, Ministrit të Bujqësisë z. Faton Peci, Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bern z. Mentor Latifi, Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrich z. Vigan Berisha, Ish-komandantit të Brigadës 138 “Agim Ramadani” z. Rrustem Berisha, familjarëve e bashkëluftëtarëve të heroit si dhe përfaqësuesve të organizatave dhe shoqatave të ndryshme, në Cyrih të Zvicrës, u mbajt Akademia Përkujtimore në kujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së heroit Agim Ramadani.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla tha se Agim Ramadani se ishte ushtarak, strateg dhe luftëtar i shkëlqyer, ai gjithashtu ishte artist, shkrimtar dhe piktor që kulturën dhe popullin e tij i donte me gjithë zemër.
Dhe kur Kosova pati nevojë, ai la pas jo vetëm Zvicrën, por la familjen, artin dhe mori armët në duar, i bindur se liria është vlera më e lartë për të cilën ja vlente të luftohej.
Beteja e Koshares ishte dhe mbetet beteja e krenarisë dhe lavdisë, e heronjve që jetësuan ëndrrën shekullore për çlirimin e Kosovës. Vendosmëria e trimave si Agim Ramadani që dhanë jetën për lirinë e Atdheut, do të jenë përgjithmonë udhërrëfyes për ne që sot e gëzojmë lirinë.
Në vazhdim u shfaqën edhe disa video të shkurtera të Komandantit dhe impresione nga fjalimet e tij të aktiviteteve të tij në Zvicër.
Znj. Shukrie Ramadani e falenderoi iniciativën e organizuar nën patronatin e Institucioneve ku ajo theksoi se ishin pikerisht Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih z. Vigan Berisha me bashkpunëtorët e tij që inicuan këtë Akademi Përkujtimore të këtij formati Institucional. Fjalime të shkurtëra dhe kujtime do të ndanin me publikun edhe vëllau i Agimit, z. Bekim Ramadani, Ministri i mbrojtjes së Republikës së Kosovës z. Ejup Maqedonci, Komandanti i Brigadës 138 z. Rrustem Berisha si dhe Udheheqësi i qendrës Shqiptare në Cyrih.
Akademia përkujtimore u shoqërua me poezi të Agim Ramadanit, që i lexoi këngëtarja shqiptare që jeton në Zvicër znj. Elina Duni. Elina ekzekutoi gjithashtu në Kitare dhe Piano dhe gjithashtu me një pikë muzikore interpretoi edhe instrumentisti, z. Elmir Berisha-Eli.
Audi reportazhën mund ta dëgjoni në linkun: Programet – Audio – Reportazhe.
https://www.albradio.ch/audio/#:~:text=13.%20Akademia%20e%20p%C3%ABrvjetorit%20t%C3%AB%20Heroit%20Agim%20Ramadani%20n%C3%AB%20Cyrich%2023.06.2024
P.S. – A.A.