Ardon Jashari transferohet te Club Brugge në Belgjikë
Mesfushori Ardon Jashari do të largohet nga Luzerni në fund të edicionit. Ai do të transferohet te Club Brugge në Belgjikë. Transferimi tashmë është kompletuar, ka njoftuar Luzerni të mërkurën.
Jashari ishte te Luzerni që nga mosha 11-vjeçare, ndërsa ka kaluar të gjitha grupmoshat te ky klub. Në moshën 17-vjeçare ka luajtur me ekipin U21 të Luzernit dhe u bë kapiten. Ka debutuar herët në Superligëë, ndërsa ka kohë që është kapiten i Luzernit, ndonëse vetëm 21-vjeçar.
Ai më herët kishte kërkuar largimin nga skuadra, por Luzerni nuk ia lejoi këtë. Një kohë kishte qëndruar jashtë skuadrës, por u kthye dhe vazhdoi me paraqitje të mira. Ishte çështje kohe para se të largohej nga Luzerni për ndonjë klub më të madh.
“Atë që Ardoni e ka arritur gjatë kohës me ne meriton respekt të madh”, ka thënë drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer.
“Ndonëse mungesa e tij do të vërehet në edicionet e ardhshme, jemi të lumtur që Ardoni e bënë hapin tutje në karrierë. Luzerni është krenar që ka qenë i përfshirë në zhvillimin e këtij lojtari”, ka shtuar ai.
Club Brugge është prej klubeve më të mëdha në Belgjikë. Ka fituar titullin e kampionit 18 herë, së fundi në vitin 2022.
Kupën e ka fituar 11 herë, që është rekord.
Jashari ka firmosur me Bruggen kontratë të vlefshme deri në vitin 2028. Ka pasur raportime se Jashari është transferuar për 6 milionë euro.