Të shtunën, (14.09.2024) në Zürich u promovua libri më i ri i Enver Robelli-t dhe Omer Xhemaili-t.
Në Promovimin e librit morrën pjesë shumë personalitete të shquara si akademiku Ali Aliu, Filantropi Lazim Destani Ambasadori i Republikës së Kosovës Mentor Latifi, Konzuli i Republikës së Kosovës Vigan Berisha nga Ambasada e Shqipërisë Valon Gashi, Dr. Alban neziri, Qamil Isufi, Nazmi Jakurti, Visar Robelli, Pal Deda, Bujar Salihu, Adem Dermaku, Rexhep Leci e shumë e shumë personalitete të tjera.
Pas rreth 10 vjet bredhje nëpër alpet, bjeshkët e kodrat e Zvicrës, unë dhe Omer Xhemali, i cili është drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar në Zürich, kemi nderin dhe jemi të lumtur ta promovojmë librin tonë me titullin: “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur. Një shtegtim nëpër alpe dhe histori”.
Libri ynë nuk është vetëm një udhëpërshkrim i ecjeve tona, por diçka më shumë: është një histori e Zvicrës, e miteve të saj, e legjendave, e zhvillimit ekonomik dhe politik si dhe shumë aspekteve të tjera të rëndësishme.
Aty ku na është dukur e përshtatshme kemi integruar rrëfime mbi historinë e diasporës shqiptare në Zvicër dhe mbi jetën e veprën e personaliteteve shqiptare që kanë lënë gjurmë në Zvicër.
Dora D’Istria është njëra prej tyre. Nuk mungon as Alexander Moisiu, të cilën Zvicra e mori si rob lufte në Francë dhe e solli në Arosa, një fshat alpin në Zvicër.
Në libër përshkruhet historia tragjike e Lazër Shantojës, i cili ishte famullitar katolik në Zvicrën franceze dhe pas kthimit në Shqipëri u pushkatua nga komunistët.
Këto dhe shumë histori të tjera të panjohura jo vetëm shqiptare shpalosen në libër. Vëmendje e duhur i është kushtuar edhe shkrimtarëve, piktorëve, antropologëve dhe fotografëve zviceranë, të cilët kanë vizituar viset shqiptare në 150 vitet e fundit.
Ky libër është historia e parë e Zvicrës e shkruar nga dy autorë shqiptarë.
/albradio/