Filmi artistik “Mala” një dëshmi e padrejtësisë

Premiera e filmit “Mala” do të shfaqet para publikut artdashës të qytetit të Gjenevës të dielën, 16 shkurt 2025 duke filluar nga ora 14:00 në Cinema Pathé Balexert. Pas përfundimit të shfaqjes kinematografike, Televizioni Alb’swiss si sponsor medial i këtij filmi ka organizuar tryezën e rrumbullakët, ku do diskutohet për filmin dhe temën që trajton. Pjesëmarrës të kësaj tryeze të hapur me publikun do jenë: Shkrimtari dhe veprimtari zotëri Bardhyl Mahmuti, miku i nderuar shqiptar zotëri Ueli Leuenberger, regjisori Faton Bajraktari dhe të tjerë.

Vështrim mbi filmin artistik “Mala” me regji të Faton Bajraktarit. Aktorët: Avdullah Gjikokaj, Shkumbin Istrefi, Besim Ajeti, Esela Pysqyli, Arbër Krasniqi, Veton Osmani, ilir Rexhepi, Kastriot Saqipi, Morea Bajraktari dhe Erion Begolli.

Filmi i metrazhit të gjatë “Mala” tregon dramën e shpirtit njerëzor në kushte të jashtëzakonshme, në kushte terrori dhe lufte. Zbulon të vërtetat rrëqethëse të dhunës, vrasjeve dhe mizorive pushtuese, ndaj njerëzve të pafajshëm. Një film mbi luftën, i cili zbulon se jeta tokësore e një njeriu, familjeje apo edhe fati të një kombi, kalon duke u mbërthyer nga ferri i vuajtjes, dhunës dhe sadizmit njerëzor. Kjo paraqitje në rrethana normale mund duket e pabesueshëm, por duke rikthyer kujtesën e ngjarjeve dhe ndodhive të luftës, kjo është fotografia reale e atyre krimeve të cilat u zhvilluan mbi popullin e pambrojtur shqiptar të Kosovës.

Filmi “Mala” nuk është një shfaqje kinematografike e cila i referohet imagjinatës. Një shfaqje e inspiruar që mund të na jepet si aluzion apo shenja treguese, por është një vërtetësi e përjetuar e cila edhe sot sillet si një hije në përditshmërinë e regjisorit, aktorëve dhe popullit të Kosovës.

Në kujtimet e çdo njeriu, ka gjëra që ai nuk ua zbulon të gjithëve, por vetëm miqve të tij. Ka nga ata që nuk ua zbulojnë as miqve por vetëm vetës dhe i mbajnë ato në fshehtësi, por ka edhe nga ata që kanë frikë të ia zbulojnë edhe vetvetes! Pjesa dërrmuese e njerëzve që përjetuan luftën e Kosovës, lirisht mund thuhet se bëjnë pjesë nga kjo e fundit. Ata, të cilët nuk duan as në kujtesë të shfaqen skenat e llahtarshme të cilat i përjetuan. Ata të cilët nuk duan të marrin guxim t’i kujtojnë ato ngjarje të padrejtësive njerëzore të cilat kanë përjetuar dhe i kanë mbijetuar dhe fatkeqësisht, po i përjetojnë edhe sot.

Krimet e ushtrisë, policisë dhe pushtuesve serbë mbi popullin e pambrojtur sa janë të tmerrshme për t’u kujtuar po aq edhe për tu shprehur e shkruar. Nuk e thonë kot se “Filmi është jeta në të cilin ne nxjerrim pikat e kujtesës…” – i tillë mund thuhet se është edhe filmi “Mala”

Filmi nxjerr në pah të kaluarën e afërt të luftës së zhvilluar të Kosovë. Nga jeta e njerëzve të zakonshëm, janë përzgjedhur skena të tilla që pasqyrojnë jetën dhe botën e tyre të brendshme, karakterin, forcën e tyre shpirtërore, përditshmërinë e tyre. Por edhe personifikimin e luftës së shenjt çlirimtare të njerëzve të cilët ishin ngritur në mbrojtje të dinjitetit dhe lirisë së tokës së tyre.

Duke u renditur gjitha këto detaje, filmi shfaq në mënyrë tejet autentike edhe anën e errët të pushtueseve, urrejtjen dhe synimet hakmarrëse e vrastare për të goditur së pari çlirimtarët e më pas gjithçka shqiptare. Skenat e filmit “Mala” gjatë zhvillimit sikur me krahët e kujtesës të shpijnë nga një fshat në tjetrin, nga një vendbanim në tjetrin, nga një masakër në tjetrën dhe janë sikur një shirit dokumentar i xhiruar në kohë reale të zhvillimit të këtyre ngjarjeve.       

Përpiquni të imagjinoni grumbullimin me dhunë nga ushtria serbe e gjithë banorëve të fshatit për të identifikuar një ushtar të lirisë të vrarë dhe të varur në pemën e oborrit të një shtëpie. Fyerjet dhe poshtërimet nga ana e ushtrisë dhe komandantëve serbë ndaj të moshuarve, grave e madje edhe fëmijëve… Detyrojnë banorët të identifikojnë ushtarin e vrarë. Detyrojnë banorët të tregojnë djali i kujt është dhe cila është familja e tij. Heshtja e tyre duket e vendosur derisa në fund fëmijët tradhtohen nga emocionet dhe papritur nxjerrin fjalën: Babë!…

Krye personazhi i filmit Mala, i cili në film është edhe babai i ushtarit të vrarë dhe të varur në pemë, rrahet dhe lidhet duke u pashtruar në sytë e bashkëfshatarëve të tij. Goditet para nipit dhe mbesës, ku para syve kanë babanë e varur.  Pas kësaj skene komandantët e ushtrisë serbe detyrojnë banorët me dhunë dhe i mbyllin në një plevicë fshati dhe më pas ju hedhin bombat dhe i djegin të gjallë. Këtu jepet forca e armës dhe hekurit, ajo e mizorive përballë banorëve të pafajshëm. Jepet urrejtja dhe tallja e idealeve të lirisë nga pushtuesi. Këto nuk janë imagjinatë e skenaristit apo regjisorit por, të vërteta të luftës e cila ka ndodhur në Kosovë.

Malës pasi i vritet djali ushtar lirie dhe ai identifikohet se është babai i tij, gjithashtu edhe gruaja dhe fëmijët e tij ndahen anash nga turma e grumbulluar. Mbesa e tij e vogël e gjallë, para syve të tij hidhet në pus nga ushtari serbë, ai mbahet i lidhur me zinxhirë dhe fotografohet nga toga e krimit për të krijuar dëshminë e rrejshme se ai është autori i gjithë plojës mbi familjen dhe të afërmit e tij?! Kjo shthurje devijuese e mendësisë serbe gjatë luftës në Kosovë nuk ishte e rrallë. Propaganda serbe shpesh rrejshëm kishte informuar opinionin se vrasjet dhe masakrat mbi popullatën civile po ndodhnin nga bombardimet e Aleancës e cila, kishte filluar t’i bombardonte caqet e ushtrisë serbe që ishin dislokuar në Kosovë dhe vrisnin e rrënonin gjithçka para tyre.

Falë Ushtrisë Çlirimtare, miqve dhe aleatëve tanë lufta në Kosovë kishte marrë fund. E bashkë me këto edhe dëbimet me dhunë, masakrat, dhuna dhe krimet serbe. Me nënshkrimin e marrëveshjes për ndaljen e luftës, menjëherë pas kësaj, forcat paqeruajtëse kishin hyrë në tokën e djegur dhe të bërë plojë të Kosovës.   

Krye personazhi i filmit ndonëse lihet i gjallë, ai tash para vetës ka tërë familjen e vrarë dhe të masakruar nga ushtria serbe. Në momentet kur ai përpiqet të mbledhë kufomat e tyre, ai arrestohet nga forcat paqeruajtëse, arrestohet nga ata ushtarak të cilët nuk dinin asgjë për skenarin që kishte ndodhur më parë në oborrin e asaj shtëpie.  Këtu, nisë paradoksi i ngushtimit të fushëpamjes së drejtësisë. Këtu shfaqet paradoksi kur viktima trajtohet si krimineli. Ku propaganda dhe agjitacioni serb fillon të jep frytet e saj të hidhura… Sidoqoftë, Mala, duke ditur se ata njerëz që e arrestojnë do të mësojnë të vërtetën e ndodhur, ai heshtë para tyre!… Heshtja e tij nuk është heshtje e fajësisë siç e thotë edhe vet filmi por, është heshtja filozofike e njeriut me pastërtinë, dhembjen e vuajtjen mbi supe.

Ai hesht edhe kur dërgohet nëpër gjykata dhe akuzohet për vrasje. Këtu fillon një tjetër moment i interpretimit të drejtësisë ndryshe nga e vërteta. Dënimi i njerëzve të pafajshëm. Dënimi i viktimës në emër të krimeve. Pseudo gjykatat e zhvilluara mëtojnë ta nxjerrin Malën si kriminel. Dëshmitarët e rrejshëm; madje edhe vet ushtaraku serb i cili merr pjesë në krim dhe tashmë, në gjykata dhe drejtësi janë pasqyra më e mirë, se cili është epilogu i drejtësisë. Cili është mëtimi i barasvlerësimit të kriminelit me viktimën!    

Talenti i një regjisori të mirë, siç është edhe në këtë film qëndron në faktin se, duke krijuar idenë e tërësishme të mesazhit, duke i vendosur personazhet në rrethana të caktuara, shikuesi kalon në vizion të brendshëm, kalon përmes nënvetëdijes drejt e në fushën e informacionit. Aty lexon informacionin në formën e imazheve dhe intuita e drejton se çfarë ndodhë jo vetëm me personazhet por edhe në jetën reale.

Filmi “Mala” mund thuhet se është unik nga tema që trajton. Ai zbulon një marrëdhënie shkakësore midis asaj që ndodh në shpirtin e personazheve para padrejtësive. Para finales që sjellë fati njerëzor. Sipas komplotit të filmit fatet njerëzore janë të ndërthura ku një ngjarje tërheq tjetrën. Zinxhiri i ngjarjes çon në fundin e trishtuar të vdekjes së Malës në çelit e padrejtësisë. Por, a do ishte kjo vdekje e njëjtë me heshtjen dhe harresën!? Le të përpiqemi ta kuptojmë./Alb’swiss TV/