Heronjtë e vegjël të LAPSH-it “Naim Frashëri” në Cyrih sollën emocione të papërshkrueshme

Më 7 dhjetor 2024, në Sallën e Winterthur Töss, nxënësit e palodhshëm të paraleleve shqipe të LAPSH-it në Cyrih sollën emocione të papërshkrueshme gjatë manifestimit për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një sallë të stërmbushur, përplot prindër, familjarë, figura të shquara, përfaqësues të ambasadave dhe mbështetës të shumtë, defilimi i nxënësve u shoqërua me muzikë popullore dhe duartrokitje të pandërprera. Ishte një skenë mahnitëse të shihje fytyrat plot përkushtim e entuziazëm të këtyre fëmijëve, të cilëve u është besuar e ardhmja jonë si komb.

Programi i pasur nisi me hymnet e dy krahëve të shqiponjës, duke i dhënë hapjes solemne një emocion të veçantë. Nën moderimin e artistit të mirënjohur Ramadan Morina, ngjarja mori një dimension të lartë artistik dhe shpirtëror.

Kryetari i LAPSH-it në Cyrih, z. Naser Ulaj, përshëndeti të pranishmit me fjalë zemre dhe vlerësime për punën e palodhshme të organizatorëve dhe komunitetit shqiptar në diasporë. Ndër të ftuarit e nderuar ishte edhe stafi i Albradios, si dhe përfaqësues të ambasadave dhe konsullatave shqiptare, të cilët theksuan mbështetjen dhe inkurajimin për organizime të tilla të rëndësishme në mërgatë.

Gjatë mbrëmjes, u ndanë falënderime dhe mirënjohje për kontributin në fusha të ndryshme, duke ngritur lart laramaninë dhe vlerat tona kulturore. Artistët e mirënjohur Çun Lajçi dhe Naser Shatrolli, si dhe kori i grave “Lyra,” sollën freski artistike dhe krenari arbërore në këtë manifestim madhështor.

Në fund, këngëtari Kolë Oroshi ndezi atmosferën me këngë patriotike, duke e kthyer sallën në një festë të vërtetë shqiptare, ku vallja dhe hareja shpërthyen ashtu siç i ka hije një date historike si 28 Nëntori.

Fëmijët, të veshur dhe të stolisur me kostume tradicionale shqiptare, i kënduan çdo cepi të trojeve tona – Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Shkodrës, Tivarit, Kumanovës, Deçanit, Manastirit dhe Ulqinit. Ata i kënduan Flamurit, UÇK-së, Skënderbeut dhe Adem Jasharit, duke na rikujtuar krenarinë dhe historinë tonë të lavdishme.

Këndofshi gjithmonë, heronj të vegjël të gjuhës shqipe!