Kaos dhe Kolona të gjata në rrugët e Kroacisë: Një udhëtim i pafund për Mërgimtarët


Në prag të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, rrugët e Europës janë mbushur me automjete, por askush nuk po e përjeton këtë ngarkesë më rëndë se bashkatdhetarët tanë, të cilët ndodhen të bllokuar në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Kolona të gjata prej mbi 20 kilometrash dhe pritje që zgjasin deri në 52 orë po i bëjnë këto ditë të gëzueshme të duken si një makth i vërtetë.

Trafiku i rënduar, i cili filloi që në kilometrat e fundit të Sllovenisë, është shndërruar në një krizë të papërballueshme në Kroaci. Pika e kalimit Bajakovo është bërë simboli i këtij kaosi, ku automjete nga Gjermania, Austria, Zvicra, Sllovenia dhe Italia po qëndrojnë të bllokuara. Në vetëm 24 orë, në këtë pikë kalimi janë regjistruar 7,256 automjete, ndërsa kalimi i kufirit kërkon pritje të pafundme.

Dëshmi të hidhura nga bashkatdhetarët
Pritja e gjatë dhe mungesa e ndihmës elementare kanë krijuar një situatë dramatike. Shoferët dhe familjet e tyre janë të detyruar të qëndrojnë në veturat e tyre për orë të tëra, shpesh duke fjetur aty. “Askush nuk erdhi të na pyesë nëse kemi ujë apo diçka tjetër. Katastrofë,” shprehet Ridvani nga Maqedonia e Veriut.

Burimi nga Lugina e Preshevës tregon me zhgënjim: “Një mijë kilometra i kaluam për 10 orë, ndërsa tani po presim 26 orë për të kaluar. Jemi të bllokuar gjatë gjithë kohës.” Për Lirinë nga Ferizaji, e gjithë kjo është një shfaqje mosrespekti: “Në krejt Europën lëvizet lirshëm dhe pa kontrolla, ndërsa ne këtu jemi si kafshë.”

Pamje dramatike dhe kaos i përgjithshëm
Kolonat e gjata janë bërë të padurueshme për të gjithë. Fëmijët qajnë pas xhamave të avulluar, të moshuarit shfaqin shenja lodhjeje të skajshme, ndërsa të rinjtë, të cilët me padurim nisën këtë rrugë për t’u bashkuar me familjet e tyre, përballen me një realitet të dhimbshëm. Disa shoferë, të dëshpëruar për të gjetur një rrugëzgjidhje, kanë dalë nga autostrada, duke kaluar përmes arave dhe rrugëve të ndaluara.

Mediat kroate raportojnë se kaosi është i përhapur jo vetëm në Bajakovo, por edhe në pikat kufitare të tjera me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Mungesa e organizimit dhe dështimi për të ofruar ndihmë për udhëtarët kanë shtuar indinjatën mes mërgimtarëve, të cilët ndihen të braktisur.

Apel për ndryshim
Si është e mundur që, në vitin 2024, një situatë e tillë të mos ketë një zgjidhje? Pse mërgimtarët tanë, të cilët kthehen në vendlindje për të kaluar festa të shenjta me familjet e tyre, trajtohen në këtë mënyrë? Mungesa e reagimit për të ofruar qoftë edhe ujë apo ndihma të tjera bazike tregon një moskujdes të papranueshëm ndaj qenieve njerëzore.

Aty ku lëvizja është ndalur, duket se është ndalur edhe shpirti i njerëzve. Mërgimtarët tanë meritojnë më shumë sesa pritje të pafundme dhe trajtim të tillë çnjerëzor. Një situatë e tillë kërkon zgjidhje urgjente dhe respekt për ata që përballojnë çdo sfidë për t’u kthyer në shtëpi.

Xhavit Celebija nga Gutenswil-i, i cili na e ka dërguar këtë foto me Bardhën dhe Lijan-in, apelon përmes albradios që bashkatdhetarët të informohen sa më herët rreth gjendjes kaotike që po mbretëron.
Ora 21:07h (22.12.2024) dhe odiseada ende po vazhdon (në foto, ora e z. Celebija)

Të dashur bashkatdhetarë që udhëtoni nga të gjitha anët e botës,
E dimë që ditët tuaja janë të kufizuara dhe që dashuria dhe entuziazmi për t’i kushtuar çdo minutë vendlindjes suaj janë të pafundme. Por ju lutemi, bëni kujdes!

Sigurohuni të merrni furnizime të mjaftueshme me gjërat më elementare, barna të domosdoshme për përditshmërinë tuaj, dhe një dozë shtesë force e durimi më shumë se herët e tjera. Rrugët janë të gjata dhe të lodhshme.

Ju urojmë një rrugë të mbarë dhe mos harroni: ju nuk jeni vetëm! Me ju është gjithmonë Albradio!

albradio / V.A./