Kurti pret në aeroport për herë të parë kryeministrin irlandez
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur këtë të mërkure në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, homologun e tij irlandez Leo Varadkar, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Kurti përmes një postimi në Facebook, ku edhe publikoi disa pamje nga pritja e kryeministrit irlandez.
“Sonte në aeroportin e Prishtinës e mirëpritëm Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar në vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë”, shkroi Kurti.
Varadkar, së bashku me një delegacion shoqërues do të qëndrojë për një vizitë një ditore në Kosovë.
Ndërsa, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti dhe homologu i tij irlandez do të takohen të enjten duke filluar nga ora 09:30.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpret me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për vizitën e Varadkar, ku ka bërë me dije se për shkak të sigurisë së tij do të bëhet ndërprerje e përkohshme e qarkullimit të trafikut.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”.
“Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, ka thënë policia.
Policia e Kosovës, ka thënë se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.