Magjia e penës bashkon shqiptarët në Bern


Ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, më 14 dhjetor 2024, hapi përsëri dyert e saj për të promovuar dy libra të rinj, të shkruar nga bashkatdhetaret tona: Miradije Maliqi dhe Fatmire Zenelaj-Sopa.
Dy libra që do të zbukurojnë dhe pasurojnë bibliotekat dhe shtëpitë tona.
Njëri prej tyre ishte libri “Të fluturosh atje ku nuk ishe ”, ndërsa tjetri roman “Hanna”.

Ky organizim u hap me modesti nga Zëvendës Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Zonja Shukrie Ramadani, me një fjalim të ngrohtë dhe vlerësues, jo vetëm për shkrimtaret dhe familjarët e tyre, por edhe për të pranishmit dhe bashkëorganizatorët e kësaj mbrëmjeje kulturore-letrare.

Atmosfera e mbushur me emocion dhe kureshtje u pasurua nga tingujt melankolikë të kitarës, interpretuar nga nxënësja e shkollës shqipe të Ostermundingen, Jela Berisha. Megjithatë, sikur mungonte diçka: një karrige përpara nesh mbeti e zbrazët. Fatkeqësisht, shkrimtarja Miradije Maliqi ndërroi jetë në maj të vitit 2023, duke lënë pas shumë shkrime e vepra të papërfunduara.

Këto perla letrare, me përkushtim, dashuri dhe profesionalizëm, u finalizuan në librin e saj të fundit nga zonja Shqipe Bytyqi dhe zoti Dan Ibrahimi. Libri titullohet “Të fluturosh atje ku nuk ishe” dhe përçon një mesazh të thellë e të ndjerë. Miradije Maliqi, një atdhetare, intelektuale dhe shkrimtare e 15 librave, redaktore e 5 filmave dokumentarë dhe pjesëmarrëse aktive në shumë aktivitete edhe vullnetare ,la pas një trashëgimi të çmuar dhe një krenari të përjetshme për kombin tonë.

Prania e familjes së saj shtoi emocionin dhe madhështinë e kësaj mbrëmjeje, veçanërisht kur vargjet kushtuar mbesës së saj të vogël, e cila ishte e pranishme, u lexuan me përkushtim. Me shumë emocion, ajo pranoi lulet e bardha, një shenjë respekti për gjyshen e saj të pavdekshme.

Libri i dytë i promovuar ishte romani “Hanna”, tashmë një emër i njohur për lexuesit e gjuhës gjermane. Një roman i detajuar dhe mbresëlënës, që shton kureshtjen e lexuesve dhe të të pranishmëve. Fatmire Zenelaj-Sopa, një grua e re shqiptare, ka treguar me punën dhe përkushtimin e saj se gratë shqiptare jo vetëm që munden, por kanë potencial të arrijnë suksese edhe larg vendlindjes.

\"\"

Fatmire Sopa është autore edhe e dy librave të tjerë të botuar në gjuhën amtare.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, zonja Monika Zguro, mbajti një fjalim përshëndetës dhe përgëzoi shkrimtaret dhe organizatorët për këtë iniciativë.

Gjithashtu, në këtë ngjarje nuk munguan figura të njohura si poeti Musa Jupolli, themelues i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, dhe krijues të tjerë si Shqfqet Dibrani, Hyrije Jusufi, Bajrush Zeka, Isuf Sherifi dhe Rexhep Rifati, disa prej të cilëve interpretuan vargje nga veprat e shkrimtareve tona.

Një ngjarje që tregoi dritën dhe shkëlqimin njerëzve të vargut e të penës, njerëz të vullnetit e të përkushtimit , të fjalës dhe të fuqisë.
Ndër shumë te ftuar ishim edhe ne si staf i Albradios që padyshim aty ku këmbana e suksesit të vëllezërve dhe motrave tona të këmbojë, do të jemi mbështetje e parezervë,
/albradio – V. Asani/