Sot e shtunë (08.06.2024) në studion tonë të albradios në Neuenhof, patëm kënaqësinë të mirëprisnim për një intervistë të veçantë Ministrin e punëve të brendshme të Republikës së Kosovës, zotin Xhelal Sveçla.
Ministri Sveçla gjeti kohën dhe na nderoi me praninë e tij në studion e albradios.
Ministri kishte përfunduar me sukses vizitën e tij në Romë me Homologun e tij Italian dhe po realizonte kthimin për Prishtinë përmes Zvicrës, gjë që ne e shfrytëzuam këtë mundësi që të merrnim informatat më të freskëta për gjendjen aktuale të sigurisë e sidomos tash para pushimeve verore ku shumë nga bashkadhetarët tanë do të udhëtojnë drejt vendlindjeve të tyre.
– Zoti Sveçla, sa jeni përgaditur si Ministri e punëve të brendshme për ardhjen e bashkatdhetarëve në pikat kufitare të Republikës së Kosovës?
Ne si institucion i sigurisë duke punuar me përkushtim do ti mirëpresim bashkatdhetarët tanë dhe kështu të gjitha obligimet tona do ti përmbushim si për nga aspekti i sigurisë ashtu edhe për menagjimin e kontrolleve të pikave kufitare gjithashtu edhe për paisjen me dokumentet që bashkatdhetarët tanë kanë nevojë. Ne jo vetëm gjatë pushimeve të verës, sepse tash po kemi edhe sezona më të shpeshta që vijnë bashkatdhetarët po bëjmë punët tona duke ngritur cilësitë në aspektin e sigurisë.
Ne këtë vit do ta thyjejmë një rekord të ri në Aeroportin e Prishtinës, pra po flasim për një shifër prej 4 milion udhëtarëve, gjë që nënkupton shpejtësi dhe shërbime edhe më të shpejta.
I vetmi problem që unë mund ta potencoj janë pikat kufitare me Serbinë. Fatkeqësisht shteti serb po vazhdon me akuza, dhe sjellje destruktive, me arrestime dhe kështu po pengon bashkatdhetarët që udhëtojnë përmes Serbisë.
– Çfare ju sugjeroni bashkatdhetarëve tanë se cilat rrugë të shmangin për vendlindje?
Unë i rekomandoj fuqishëm bashkatdhetarët tanë që sa më shumë të evitojnë rrugëtimin përmes Serbisë. Po, janë disa orë më shumë udhëtim, dhe unë besoj se në emër të sigurisë të themi rrugëtimi përmes Shqipërisë, Kroacisë e Malit të Zi, ja vlenë edhe pse janë disa orë shtesë më shumë rrugë por që ato janë më të sigurta për bashkombasit tanë.
– Si do te menagjohet siguria rrugore në Kosovë gjatë kohës së fluksit?
Ne kemi një siguri më të mirë në trafik krahasuar me vitet e mëparshme, kemi ashpërsuar ligjet dhe dënimet, për të sjellë një disiplinë më të madhe. Fatkeqesisht vazhdojmë të kemi aksidente me fatalitete, të lënduar dhe dëme materiale. Për nga përqindja janë më të vogla se vendet fqinje, por megjithate janë realitet i dhimbshëm i përditshmërisë sonë prandaj edhe kemi ashpërsuar ligjet dhe ka më shumë rregull dhe ne po punojmë intenzivisht për të ngritur efikasitetin. Edhe Ministria e Infrastrukturës po punon shumë intenzivisht për të përmirsuar dhe rritur sigurinë në rrugët e Republikës.
– Çfarë përshtypje ju lë, kur ju themi se shqiptarët tashmë kanë radion e parë shqipe në Zvicër në rrjet Nacional dhe ata kanë mundesi të marrin informacione të shpejta?
Për albradio dëgjova gjatë rrugës që po vija nga aeroporti. Unë jo vetëm se dëshiroj, por jam i bindur që kjo radio do të ketë sukses në mënyrë që të shërbej si një urë lidhëse në mes mërgatës sonë dhe është obligim i të gjitha institucioneve të Kosovës që t’ju asistojë sa më shumë do të duhej të ishte edhe vullnet i Bizneseve që të shfrytëzojnë edhe këtë kanal të komunikimit dhe në të njejtën kohë të fuqizojnë një kanal shumë të rëndësishëm të komunikimit dhe kështu unë jam shumë i bindur se sukseset e Shqiptarëve do të rriten
Intervistën e plotë mund ta dëgjoni të dielën më 09.06.2024 në ora 11:00h