Moisiu pas 89 vjetëve, po jetësohet në Morcote të Zvicrës
Reportazh nga Morcote e Zvicrës, aty ku pushon aktori me famë botërore, Aleksandër Moisiu
E tha gjaku i tij, Aleksandër Moisiu pas 89 vjetëve, po jetësohet në Morcote të Zvicrës
Morcote, 24 tetor
„Shikon, pra, që gjaku im i përket origjinës sime dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit.Të shikosh shqiptarët në jetë duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shnderrohet në fuqi luani e s’ka zot që i mban nëse dikush i prek në sedër ose në të drejtën e tyre…“ (Aleksandër Moisiu)
Faleminderit, kryetarit të Morcotes, stafit të tij, banorëve të kësaj komune dhe gjithë Zvicrës. Aty te Kodra e Artë në Morcote, aty te rruga më prestigjioze e komunës së Morcotes do të jetë edhe përmendorja e vendi i Aleksandër Moisiut. Rruga Riviera e Pavarësisë. Arritje e madhe! Ku mos me e nis me emocione këtë reportazh. Po pra, sikur e dinte Moisiu, se gjaku i tij nuk do ta harroj ate. Edhe pse kaluan shumë vite, hiq më pak se 89-të, që iku në amshim, edhe pse hiri i tij pushon në një vend larg Kavajës, ai sikur e diti, se në Zvicër, do ta kemi një numër të madh të bashkëkombasve të tij dhe do ti dërgojnë lule të freskëta në datëlindjen e tij dhe në përvjetor të ndarjes nga jeta. Deshtën apo nuk deshtën ta pranojnë, është aktori i merituar, Prof.Adem Kicaj, që njihet me modestinë e tij të madhe, shumë prej nesh e në mesin e tyre edhe mua, edhe ate hiq më pak se para 24 vjetëve, më ka mundësuar që të shkoj te varri i Moisiut dhe ta nderoj. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë. Z.Kicaj, që e mbante në zemër me vite e vite, se si të gjejmë mundësi, që ta jetësojmë me përmendore dhe me një shesh Moisiun sepse e ka idol, apo që jeton artistikisht me shpirtin e Moisiut. Tani ju plotësua kjo dëshirë e madhe e jetës dhe ai ndër të tjera më tha para miqve tanë, Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, Rafet Ademi, Përparim Sabriu, se jam më i lumturi në këtë botë. Për çdo vjet me aq mundësi sa ka pasur, së bashku me studentët e shkollës së tij të aktrimit IFTP ka shkuar dhe ka vendosur lule dhe ka kujtuar me mall, vëllaun e tij të një gjuhe e gjaku, Moisiun. Jo rastësisht, edhe Adem Kicaj, për artëdashësit që jetojnë në diasporë, njihet edhe si Moisiu i ditëve tona. Ky projekt filloi në mars të këtij viti edhe ate në Morcote. Moisiu i ditëve tona, sepse ai gjithçka ka dhënë dhe jep për artin. Kësaj here nuk po ndalem në arritjet e Adem Kicaj, aktorit të merituar, sepse dihen. Por, po ndalemi te dita e madhe e 24 tetorit, kur na u lejua projekti për të pasur bustin dhe vendin-sheshin Moisiu në Morcote të Zvicrës, pak metra nga komuna dhe nga ku ai pushon. Për këtë nismë kemi nënshkrimet e nënshkruara në vendin ku pushon Moisiu dhe për këtë kemi shkruar muaj më parë. Pak kujt i ka shkuar mendja, se një ditë, do ta kemi një përmendoretë aktorit në Morcote edhe ate me një vend special përballë liqenit i cili pushon në afërsi të këtij fshati të njohur jo vetëm në Zvicër por në gjithë botën për bukurinë e saj të magjishme. Kjo është Zvicra, ky është populli zviceran, që vlerëson projektet e mira për të mirë të shoqërisë. Dikush e din, se ku pushon dhe shumë të tjerë nuk e dijnë, por gjeneratat e reja do të mburren edhe më shumë, se hiri i tij është në Morcoten e Zvicrës, të këtij shteti mik të kombit tonë me mbi 400.000 bashkëkombas të të gjitha trevave shqiptare. Në këtë shtet, që rinia shqiptare po korrë suksese në tempuj të dijes por edhe në art e fusha të ndryshme biznesi. Kur na thërret zëri i Aleksandër Moisiut na shpon shpirtin dhe nisemi drejt Morcotes, së bashku me aktorin, regjisorin, drejtorin e shkollës së aktrimit IFTP me qendër në Zvicër, Prof. Adem Kicaj, pastaj, aktorin e menaxherin e IFTP, z. Musa Sylejmani për ta jetësuar bustin e Moisiut në Zvicrën mike. Me ne shpirtërisht janë edhe z. Rafet Ademi, Perparim Sabriu dhe shumë të tjerë, që kësaj here nuk mundën të jenë me ne për arsye të njohura, ose më mirë me thënë, shpirti i 400.000 shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Gjithashu na përcjell edhe përkrahja e tre ambasadorëve që janë në Zvicër, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe shumë personaliteteve. Atje na priti miku ynë, aktori e veprimtari i njohur, Remzi Durmishi me familjen e tij, ku jeton me familje.
Takim shumë i rëndësishëm me të parin e Morcotes. Si herën e kaluar edhe kësaj here, ishte z.Remzi Durmishi ai që na mundësoi takimin me të parin e Morcotes. Padyshim, se familja Durmishi është model i integrimit në Zvicër.Edhe pse ishte ditë pune, nuk ka të ndalur që të realizohet ky projekt. Duhet realizuar, se nuk bënë dhe e meriton. Aty në orën 12-të, u ndalëm te sofra e familjes Durmishi në rrethinën e Luganos me prejardhje nga Llapi, familje me traditë, ku nuk mundëm të largohemi paujë, bukë e zemër, ashtu siç e donë tradita! E pastaj drejt shtrëngimit të duarve me të parin e komunës së Morcotes! Takimi ishte caktuar në orën 14.30 për të bashkëbiseduar në lidhje me projektin e nisur. Ashtu edhe siç është gjithçka në përpikshmëri në Zvicër edhe ne u afruam te komuna e Morcotes në orën 14.25 min. U hap dera dhe stafi i komunës na drejtuan te salla ku do të bashkëbisedojmë me kryetarin z. Giacomo Caratti dhe sekretarin, z. Luca Cavadini.
Me një buzëqeshje të sinqertë miqësie, edhe z.Caratti dhe Cavadini na uruan mirëseardhje dhe e filluam bashkëbisedimin. Takimi zgjati rreth 40 minuta dhe ishte shumë miqësor dhe më pastaj u drejtuam tek vendi i caktuar, se ku do të kemi përmendoren e Moisiut.
Z.Remzi Durmishi kësaj here luajti edhe rolin përkthyesit edhe pse kryetari dhe sekretari e njihnin edhe gjuhën gjermane. Por, për respekt, herë pas here flisnim edhe në italisht e gjermanisht e mbi të gjitha foli gjuha e shpirtit. Është për të përshëndetur dhe për të mos e harruar për jetë, se kryetari z.Caratti ishte i hapur dhe shumë konkret, që nëse nuk ju pëlqen vendi i caktuar, mundemi të shikojmë edhe ndoj vend tjetër. Kjo është madhështore. Vendi i caktuar është 5 minuta nga komuna, përskaj rrugës kryesore me pamje nga liqeni. Parajsë e kësaj bote. Binte një shi i qetë, por kryetari na siguroi edhe ambrellat që të mos lagemi deri te vendi. Me të shkuar tek vendi i caktuar ne mbetëm pa koment, ku pamë edhe lotët e gëzimit. Aktori i merituar, Prof.Adem Kicaj, hyri menjëherë në shpirtin e Moisiut dhe filloi edhe të përmend fjalë të Moisiut, sa që ne mbetëm duke e shikuar se çka po ndodh. Me fjalë zemre e shpirti falënderoi kryetarin, stafin e tij dhe gjithë qytetarët e kësaj komune dhe gjithë Zvicrën. U bisedua se në çfarë përmase duhet të jetë përmendorja. Sa binte shi, përmenda edhe një fjali që më erdhi për momentin, se ky shi që po bje, janë lotët e gëzimit të Moisiut. Dhe kryetari z.Caratti me një buzëqeshje të lehtë tha: „Po besoj se nuk do të zgjasin shumë“. Menjëherë ia ktheva, jo, nuk do të zgjasin shumë, sepse edhe shpirti i Moisiut nuk dëshiron që ne të jemi të lagur“. Ashtu ndodhi për fat, nuk shkuan 15 minuta dhe shiu pushoi. Aktori i merituar z.Kicaj, nuk e fshehu gëzimin e tij të madh, duke thënë, se edhe nëse vdes nuk më dhimbset jeta. Më besoni, prej ditës së parë që kam ardhur në Zvicër, sytë e zemrën e kam pasur nga Moisiu. Edhe kur kisha mall për atdheun e disha, se Zvicra mike i ka mundësuar aktorit më të madh që të pushoj përjetësisht, por i ka mundësuar edhe shumë personaliteteve të tjera që të thojnë fjalën e bukur shqipe si Fan Noli, Çajupi, etj, etj. Menjëherë edhe filluan se si ta realizojmë këtë projekt. Musa Sylejmani mundohej të bëj foto kujtimi dhe video për këtë ngjarje të madhe. Të gjithë ishim me emocione të papërshkrueshme. Edhe në komunë edhe në vendin e vendosjes së përmendores, u bisedua për hapat tutje, por e rëndësishmja, Moisiu do të jetoj përjetësisht edhe me përmendore në atdheun e dytë të mbi 400.000 bashkëkombasve.
Sa për kujtesë;
E çuditshme me ty, Moisi! – iu drejtua Aleksandrit kritiku italian i artit, Xhuzepe Adami, në një bisedë pas një shfaqjeje të bujshme në Milano.
Ti ke studiuar në Gjermani dhe shkolla jote është gjermane, po gjaku yt është italian dhe sigurisht kjo duket nga shqiptimi i përsosur i italishtes. Po, me falni, në lojën tënde ka disa momente të improvizuara gjallërie, që vijnë papritur, që s’janë as italiane, as gjermane. Këto duken si shpërthime të panjohura dhe unë kam dashur të të pyes shpeshherë se me çfarë qëllimi i bëni, për impulse, apo janë thjesht nervore?
– I dashur Adami, – iu pergjigj Moisiu, ti vërtetë më njeh mirë, por bën një gabim të vogël për sa i përket origjinës sime. Unë jam rritur në Shqipëri dhe jo në Itali. Sigurisht që këtu kam shkuar në shkollë dhe kam jetuar, por babai im është shqiptar dhe nëna ime ështe shqiptare gjithashtu nga arbëreshët. Shikon, pra, që gjaku im i përket origjinës sime dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit.
Të shikosh shqiptarët në jetë duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shnderrohet në fuqi luani e s’ka zot që i mban nëse dikush i prek në sedër ose në të drejtën e tyre…
Por – vazhdoi më tej Moisiu -ne s’kemi ende teatrot tona, prandaj mua me shikon këndej….
Prandaj, është thënë dhe po bëhet! Bashkëkombas të dashur, po jetësohet, aktori me famë botërore, Aleksandër Moisiu edhe ate pas 89 vjetëve, që shkoi në përjetësi! Mërgata ishte dhe do të mbetet ambasadori më i mirë i atdheut!
Kjo është e veçantë. Sinqeriteti dhe puna e madhe e mërgatës sonë, ka bërë që Zvicra mike t`na pranoj siç jemi dhe t`na mundësoj që edhe në shkollat e saja të mësohet gjuha shqipe. Falënderime! Urime, juve gjenerata e re, që po rriteni dhe edukoheni larg vendit të të parëve! Prof. Adem Kicaj, Remi Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, PhD. Dashnim Hebibi dhe të tjerë, që sot nuk ishin fizikisht me ne, do të festojmë dhe të fillojmë menjëherë me punë për ta jetësuar. Komuna e Morcotes na dha të drejtën, që ne të vendosim se si do të dukej përmendorja dhe vendi i caktuar. Nga nismëtarët e projektit, do të vendoset në ditët në vazhdim, se si do të dukej përmendorja dhe kush do të jenë ata që do ta financojnë apo financoj. Për çdo gjë do të jemi të hapur. Të gjithë e dijmë, se Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste, më 2 prill 1879 dhe vdiq në vitin 1935 në Vjenë, në moshën 56-vjeçare. E kishte lënë me gojë që të varrosej në Markote të Zvicrës, afër qytetit Lugano. Aty është varrosur më vonë edhe bashkëshortja e tij, Johana Tervin.Babai i tij, Kostandin Moisiu është i biri i Themistokliut nga Kavaja. Themistokli Moisiu, përveç babait të Aleksandrit, kishte edhe një djalë tjetër, Grigorin, nga i cili rrjedh dega e pjesës tjetër të Moisive të Kavajës. Në moshën 19-vjeçare Moisiu shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kaincit iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e tij si kompars (aktor që luan rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin, Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Maks Rainhardit, me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi, ai u angazhua në shumë vende të Evropës, Amerikës Veriore dhe deri në Argjentinë.Fusha e veprimit të Moisiut përfshinte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjeditë antike greke e deri te ato të kohëve moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermanit dhe Fedjas në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë” etj.
Kodra e Artë e Morcotes do të shkëlqej edhe më shumë, Rruga e Pavarësisë e Morcotes do të jetoj brez pas brezi edhe te çdo shqiptarë.
Puna ka nisur dhe shumë shpejt do të realizohet. Të gjithë ata, që u angazhuan dhe i ndihmuan nismëtarëve është për çdo lavdëratë dhe presim edhe në të ardhmen, që gjatë ecurisë së projektit të jemi bashkë dhe pak ka rëndësi se kush e ka nisur ashtu thonë edhe grupi inicues, me rëndësi është që të gëzohemi dhe ta ndihmojmë projektin me ato mundësi që kemi dhe ta falënderojmë pafundësisht Morcoten dhe gjithë Zvicrën. Për planet, se si do të shkoj, do të jeni të informuar vazhdimisht. / Dashnim HEBIBI