Në kërkim të një zgjidhjeje adekuate për Shkollën plotësuese në gjuhën Shqipe

Të shtunën më 6 dhjetor 2024 në ambientet e Konsullatës së Kosovës në Cyrih u mbajt një takim i rëndësishëm me mediat shqiptare, i thirrur nga Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla. Në këtë takim përveç Zëvendës Kryeministres Gërvalla po merrte pjesë edhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih z. Vigan Berisha.

Ky takim kishte për qëllim të forcojë lidhjet mes institucioneve të Kosovës dhe diasporës shqiptare në Zvicër, si dhe të diskutojë për sfidat dhe mundësitë që paraqiten për shqiptarët jashtë vendit.

Gjatë fjalës së saj, znj. Gërvalla theksoi rëndësinë e rolit të diasporës në zhvillimin e Kosovës dhe kontributin e saj në promovimin e kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar. Ajo shprehu mirënjohjen për punën e palodhur të mediave shqiptare në Zvicër, të cilat kontribuojnë në informimin e komunitetit dhe në mbështetje të lidhjeve me vendlindjen.

Në takimin e organizuar nga Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, me mediat shqiptare në Zvicër, temë kryesore ishte: Shkolla plotësuese shqipe në Zvicër.
Znj. Gërvalla, duke falenderuar mediat e pranishme, kërkoi mendimet e tyre mbi këtë problematikë dhe shprehu angazhimin e saj për të gjetur një zgjidhje dhe mekanizëm më të fortë për të siguruar që fëmijët shqiptarë në Zvicër të vijojnë mësimet plotësuese në gjuhën shqipe.

Ajo theksoi se kjo çështje është me rëndësi të veçantë për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe për zhvillimin e brezit të ri. Znj. Gërvalla solli shembuj nga praktikat e vendeve të tjera, si Austria, ku mësimdhënësit paguhen nga shteti në varësi të numrit të bashkatdhetarëve, duke vënë në dukje se numri i nxënësve shqiptarë në këto shkolla ende nuk është i kënaqshëm. Kjo, sipas saj, tregon se problemi është më kompleks dhe nuk lidhet vetëm me pagat e mësimdhënësve.

Gjatë diskutimit, ajo gjithashtu e përmendi ndikimin e telefonave mobil dhe rrjeteve sociale në jetën e fëmijëve, duke theksuar se ky është një problem global që prekë të gjithë fëmijët e botës. Znj. Gërvalla shprehu nevojën për të krijuar kushte që prindërit të bindeshin për rëndësinë e shkollës shqipe për fëmijët e tyre, duke u mbështetur në burime shkencore që tregojnë se njohja e gjuhës së nënës është thelbësore për edukimin e tyre të ardhshëm.

Përveç radios së vetme shqipe Albradio, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të mediave si; TV Syri, drejtori Musli Saiti, z. Besim Laci, znj. Ruth Bytyqi, nga TV Albsuisse ishte drejtori Avni Azizi dhe znj. Luljeta Ademi (freelancer) nga një portal shqiptar online ku të gjithë të pranishmit ndanë pikpamjet e tyre dhe në të njejtën kohë Ministrja Gërvalla edhe përgjigjej në pyetjet që i parashtroheshin.
Znj. Gërvalla kishte nisur takime që nga orët e para të mëngjesit ku kishte pritur dhe diskutuar rreth çështjes së mësimeve plotësuese në gjuhën shqipe edhe klerikë, shoqata artistike dhe kulturore, me prindër që kanë fëmijët në moshën që ndjekin ose do të duhej të ndiqnin mësimet plotësuese për të grumbulluar sa më shumë pikëpamje rreth kësaj problematike kombëtare.

\"\"

Ajo çfarë mund të shkëpusim nga biseda konstruktive ishte thënja e Ministres Gërvalla se: është detyrim i yni i përbashkët dhe jo vetëm i institucioneve shtetërore që të punojmë me përkushtim në këtë çështje dhe të veprojmë kompakt për të siguruar që fëmijët shqiptar që do të lindin jashtë atdheut, t\’ju krijohet një bazë sa më e qëndrueshme dhe mundësi që ata ti ndjekin mësimet plotësuese në gjuhën shqipe.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare në diasporë, duke angazhuar të gjitha palët e interesuara në një diskutim konstruktiv dhe të hapur.