Një i lënduar dhe 20 vetura të përfshira nga zjarri afër Aeroportit të Prishtinës
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është lënduar, 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi janë përfshirë nga zjarri si pasojë e një zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës (ANP).
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot (e Marte 13.08.2024) rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi”, tha Ahmeti.
Ajo tha se në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale.
“Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që pas lokalizimit të zjarrit, hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Ahmeti.
E. Hoti / RTKlive