“Për mua është hap i mirë”, Xhemaili e vendosur ta shfrytëzojë rastin e ri te Zvicra
Futbollistja Riola Xhemaili e ka kaluar dëshpërimin që nuk u përzgjodh për ta përfaqësuar Zvicrën në Botërorin e mbajtur në verë. Xhemaili është ftuar sërish nga përfaqësuesja helvetike dhe është e vendosur ta shfrytëzojë rastin e ri. Gjatë verës ajo u largua nga Freiburgu dhe kaloi te skuadra dukshëm më e madhe, Wolfsburgu.
Te skuadra e ri nisi herët përgatitjet dhe vlerëson se ka avancuar shumë.
“Të jesh në gjendje të ushtrosh çdo ditë me lojtare të nivelit të lartë është e jashtëzakonshme. Kështu unë mund të zhvillohem edhe më shumë”, ka thënë Xhemaili për “srf.ch”.
Wolfsburgu është finalist i Championsit. Riola megjithatë nuk u aktivizua në ndeshjen e parë në Bundesligë me Wolfsburgun. U aktivizua me ekipin e dytë.
“Jam 20-vjeçare, kam kontratë trevjeçare këtu dhe kam kohë. Nuk jam e ngarkuar. Për mua është hap i mirë”, ka thënë Xhemaili.
Me Zvicrën, Riola pritet ta fitojë rastin ndaj Italisë dhe Spanjës. Këto ndeshje i takojnë edicionit të parë të Ligës së Kombeve për futbolliste.