Presidentja Osmani po merr pjesë në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër
Përmes një postimi në rrjetin social, X, Osmani potencoi se në Samitin e Paqes janë të përkushtuar për të mbështetur lirinë e Ukrainës.
“Në Zvicër, me Presidenten zvicerane, Viola Amherd, presidentin ukrainas, Zelensky dhe liderë të tjerë nga e gjithë bota. Jemi këtu të përkushtuar në mbështetjen tonë për lirinë e Ukrainës”, shkroi Osmani.
Samiti për paqe për Ukrainën,po mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku po merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare”.
“Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani.
Kurse në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.
Samiti i nivelit të lartë, i cili ka mbledhur liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.
Presidenten e Kosovës po e shoqëron ambasadori i ri i Republikës së Kosovës z.Mentor Latifi i cili para pak muajve ka marrur detyrën e misionit diplomatik në Zvicër.