Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Rrugëtimi i Gazmend Nurës
11 Shtator, 2024

Rrugëtimi i Gazmend Nurës

Migjen Kajtazi

Guximi dhe profesionalizmi janë dy togëfjalësha që kanë përciellur suksesin e Gazmend Nurës. Këto fjalë marrin kuptimin e vet në momentin që jemi duke biseduar me Gazmendin dhe shohim nga afër gjithë punën e tij. Bisedën e vazhdojmë në depon e firmës, pronar i së cilës është Gazmendi. Një depo me hapësirë të madhe që gjendet në mes të qytetit të Lozanës. Puna e firmës W.Tisch Reymond SA bazohet në vendosjen dhe rinovimin e parketeve të ndryshme dhe në punime të ndryshme me dru. Depoja është e furnizuar me parkete të sjella nga drurë nga vende të largëta. Firma aktualisht ka 15 punëtorë të rregullt dhe shpesh tejkalon numrin e 20 punëtorëve të angazhuar, varësisht nga porositë.

Ky rezultat i punës është ajo që shohim, por sapo fillon biseda, kuptojmë që fatet e njerëzve të suksesshëm të diasporës sonë janë fate të përciellura nga sakrifica. “Ishin momente të vështira për gjithë Kosovën dhe për familjen time,” thotë Gazmendi, i cili, duke filluar rrëfimin e ardhjes në Zvicër, ndiej që zëri i tij merr një tjetër ngjyrë. Emocionet fillojnë ta kaplojnë dhe nuk harron momentet e vendosjes në shtetin zviceran në vitin 1996, si një i ri që sapo kishte mbushur moshën 17 vjeçare dhe ishte vendosur në qendrat e kërkuesve të azilit në qytetin e Lozanës në Zvicër. “Ishin sakrifica të vështira; mos njohja e gjuhës, larg nga të afërmit, por me dëshirë që të mos ndalem, fillova të vazhdoja shkollën. Ishin momente që përballeshim me situata të vështira në shumë fronte. Në Kosovë përpiqeshim të mbijetonim, ndërsa në Zvicër dhe në shtete të tjera perëndimore përpiqeshim të mos dorëzoheshim në asnjë situatë. Shkolla më ndihmonte të ndihesha i vlerësuar, sepse isha i rrethuar me profesorë zviceranë që vërtet i jepnin epitet emrit profesor.”

Duke dëgjuar Gazmendin që flet me mirënjohje për profesorët e tij zviceranë, ndërhyj në rrëfimin e tij dhe i drejtohem me pyetjen: “Çfarë të bën të thuash që këta profesorë zviceranë kishin vërtet një mision profesional dhe human?”

Gazmendi ndalet pak, duke marrë frymë thellë dhe më drejtohet: “Nuk mund të harroj situatën kur policia zvicerane më ndaloi ndërsa isha duke shkuar në shkollë, dhe sapo prezantova letrën që tregonte se isha kërkues azili pa të drejtë qëndrimi në Zvicër, më detyruan t’i përcjell në zyrat e tyre që ishin afër stacionit të trenit në Lozanë. Policia më njoftoi që do të më shoqëronin për në aeroportin e Cyrihut, ku do të më dërgonin në Kosovë. Në ato momente, kërkesa ime e vetme ishte të njoftoja profesorët për arsyen e mungesës sime dhe më lejuan të telefonoj në shkollë dhe t’i njoftoj ata.”

“Policia më tregoi që do të më fusnin në një dhomë të mbyllur, enkas për të paraburgosur, deri sa të më shoqëronin në aeroportin e Cyrihut, dhe në ato momente iu drejtova policëve që, edhe pse më kishte marrë malli shumë për familjen, sepse kishte disa vite që nuk i kisha parë, të paktën të njoftonin xhaxhain tim, Xheladin Nurën, që jeton në Lozanë.”

“Duke biseduar me policinë, pashë nga dritarja që profesori im, zoti Bernard Courvoisier, kishte arritur dhe bisedonte me policët. Policët mu afruan dhe më lejuan të shoqëroja profesorin tim deri në shkollë. Gjatë rrugës e pyes profesorin: ‘Si arrite t’i bindësh që të më lejojnë të vij me ju, profesor?’ Profesori u kishte thënë që të paktën të më lejonin të mbaroja shkollën, sepse në fakt më kishin mbetur edhe 3 muaj para se të mbaroja shkollën.”

Nuk mund të mos i parashtroj pyetje Gazmendit për kontaktet që mban ende me profesorët e tij. Më thotë që me profesor Etienne Corbaz mban vazhdimisht kontakte dhe që kanë vizituar shpesh Kosovën dhe fshatin e tij në Aqarevë të Drenicës, jo vetëm me të, por me gjithë familjen e tij.”

“Vazhdova shkollën dhe fillova punën në këtë firmë, që tani jam pronar. Isha shumë i angazhuar dhe nuk llogarisja orët që kaloja në punë. Puna me dru është pasioni im dhe shumë shpejt e kuptova që kisha gjetur veten në këtë profesion. Nuk u ndala deri sa arrita të mbaroj specializimin me njohje federale.”

Po si arrite të bëhesh pronar i kësaj firme me përvojë gati 100 vjeçare? ndërhyj në bisedë duke i parashtruar Gazmendit këtë pyetje.

“U bëra pronar i firmës në vitin 2015. Ishin momente të vështira për firmën, sepse pronari ishte në dilemë për vazhdimësinë e punës, pasi kishte dalë në pension dhe djali i tij nuk kishte prirje për të vazhduar punën, dhe në fakt, firma ishte duke u mbyllur. Në ato biseda, propozova pa ngurrim që të marr përsipër firmën. Ishte përgjegjësi e madhe, por me punë të palodhur arrita që të siguroj vazhdimësinë e kësaj firme gati një shekullore.”

Gjatë bisedës për sukseset, sfidat dhe pengesat e tij, i parashtroj pyetje Gazmendit për vlerësimin që i është bërë dhe që i jep njëherazi krenari për punën e tij.

Gazmendi ndalet te punët që ka realizuar dhe që është duke realizuar në riparimin e ambienteve të brendshme të kështjellave të ndryshme në Zvicër. Ai ndalet duke cituar Kështjellën Saint-Maire në Lozanë, e cila është ndërtuar në shekullin e 14-të dhe që tani shërben si vend pune për qeverinë kantonale të kantonit Vaud, dhe kështjellat e komunave të Crissier, të Aubonne, etj. Tani do të realizojë punë në Kështjellën e Grandson, e cila është ndërtuar në shekullin e 11-të.”


“Kjo punë më bën të ndihem i vlerësuar dhe më mundëson të kuptoj rëndësinë e madhe dhe të pabesuar që këto kështjella dëshmojnë me prezencën e tyre, me gurët e tyre, me drurët dhe historinë e tyre. Më bëjnë të udhëtoj në kohë me një përjetim krejtësisht ndryshe. Bisedat që bëj me arkitektët, historianët dhe përfaqësuesit kantonal për rëndësinë e ruajtjes së origjinalitetit më motivojnë të jem profesional dhe efikas.”

Ndalemi prapë te guximi që nuk i mungon diasporës shqiptare dhe mundohemi të gjejmë burimin e guximit, dhe në ato momente ndalemi duke shikuar rrebeshin e shiut që filloi, dhe në sfondin e zhurmës së shiut, dëgjojmë tingujt e një kënge për Skënderbeun, sikur që na jep përgjigjen për burimin e guximit te shqiptarët…

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE