Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Shqipëria dhe Kosova shpallin ditë zie shtetërore
3 Korrik, 2024

Shqipëria dhe Kosova shpallin ditë zie shtetërore

Qeveria shqiptare ka shpallur të martën dhe të mërkurën, ditë zie kombëtare në nderim në shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.

Flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë në nderim të veprës dhe kontributit të shkrimtarit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të mbahen në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, të mërkurën në oraret 09:00-11:00 dhe 11:30-12:30.

Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar disa herë për çmimin Nobel.

Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare dhe është përkthyer në 45 gjuhë. Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ka ndarë kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Në Kosovë zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE