Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Shkurte Fejza – “50-vjet Zëri i Kombit”
8 Qershor, 2024

Shkurte Fejza – “50-vjet Zëri i Kombit”


I ftuar në Koncertin Jubilar të mbretëreshës së këngës që i takon gjithë Botës Shqiptare, Shkurte Fejza, “50-vjet Zëri i Kombit”.
Profili i kësaj këngëtareje, modeli më i mirë në rrugën e muzikës, është cilësuar si një nga zërat e artë të Kosovës, një nga këngëtaret më të dashura nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Ajo shquhet jo vetëm për veçantinë e vokalit, por edhe për faktin që gjithë karrierën e saj muzikore e ka bazuar mbi tabanin kombëtar, duke përformuar gjithmonë me motive patriotike, një zgjedhje, një vendim, të cilit i ka qëndruar vazhdimisht besnike si formë dhe si tematikë.
Ajo i takon asaj gjenerate rinore që për popullin e Kosovës ishte pararoja e luftës patriotike, ishte promotor që në situatat më të vështira qëndroi në ballë, duke kontribuar për lirinë me gjak, me inteligjiencë dhe me këngë.
Shkurte Fejza është pjesë e këtyre ngjarjeve historike dhe inspiruese e ndjenjave kombëtare, legjenda e frymës së patriotizmit dardan, që ndezi dhe ushqeu shpirtin e të gjithë shqiptarëve, duke kuruar edhe plagët më të thella me të cilat u ndëshkua populli i pa faj i Kosovës.
Për Shkurte Fejzën vlerësimet janë pa fund. Kur flitet për muzikën tradicionale shqiptare, shumëkush e fillon me të. Disa e quajnë “këngëtare emblemë”, ndonjë kolege e saj “këngëtare lapidare”, si dhe shumë epitete të cilat ajo i meriton, sepse i fitoi me punën dhe magjinë e zërit të saj, i këndoi atdheut ashtu siç di vetëm ajo. Kënga e saj u bë “himn” e “kushtrim” për breza.
Ajo është një nga këngëtaret më të mëdhaja të Kosovës me 50 vite karrierë artistike. Vërtetë është një artiste me plot kuptimin e fjalës, frymëzuese porsi stina e pranverës.
Ndër kulmet e interpretimit të repertorit të saj është kënga: “N’xhamadanin vija-vija”, këngë që zor se mund të ketë shqiptar që nga Saranda deri në Mitrovicë që mos të dijë ta këndojë. Kjo këngë lindi kur shpirti i një populli të ndarë padrejtësisht nuk duronte më. Kjo këngë e interpretuar me kaq zjarr nga këngëtarja Shkurte Fejza, ishte ndoshta thirrja e parë historike dhe lajmëtarja e realizimit të bashkimit kombëtar, që sot nuk është larg. Për këtë këngë, meritë të padiskutueshme kanë edhe dy artistët shkodranë, poeti prof. Alfred Çapaliku dhe kompozitori prof. Zef Çoba “Mjeshtër i Madh”.
Albumet e Shkurte Fejzës përbëjnë një shifër rekord, një nga këngëtaret e rralla që ka kaq shumë këngë, me një repertor kaq të pasur. Janë 35 albume. Është vërtetë një punë e madhe, një sakrificë gjithashtu e madhe, e cila është shpërblyer, pasi është krijuar një respekt dhe një vlerësim shumë i madh për emrin dhe meritat e kësaj këngëtare të madhe.
Për këto merita ajo është vlerësuar me Titullin e Lartë “Mjeshtre e Madhe” akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani në vitin 2013.
Krahas figurave të shquara të muzikës, ajo ka bashkëpunuar edhe me autorët e teksteve që me fuqinë e fjalës i kanë dhënë fuqi e vlera këngës.
Mund të përmendim mjeshtrat e fjalës në Kosovë e Shqipëri si: Faruk Tasholli, Ymer Shkreli, Fatmir Muja, Bekim Lumi, Arsim Bonjaku, Bekim Mislimi, Avni Qaili, Sami Aliu, si dhe poetët nga Shqipëria: Gjok Beci, Jorgo Papingji, Hamit Alia, Alfred Çapaliku, etj, duke pas kënaqësinë e madhe që edhe unë jam i përfshirë me këto emra të shquar.
Këtë kënaqësi sigurisht që do ta shijoj në këtë koncert madhështor, pasi në repertorin e këtij koncerti bën pjesë edhe krijimtaria ime.
Në vijim të këtij publikimi dua të theksoj edhe një moment të një interviste që kësaj ikone të këngës shqiptare, i bëra para 10 vitesh, në recitalin e saj, ku me shumë emocion ajo tha: “NESE UNË KAM QENË ZËRI JUAJ PËR 40 VITE, JU KENI QENË JENI DHE DO TË MBETENI FUQIA E SHPIRTIT TIM PËR TË NGRITUR KËNGËN SHQIPE NË NIVELIN QË E MERITON”.
Le t’i urojmë suksese kësaj ikone të këngës shqiptare që zëri i saj nuk njeh kufi, por shpirti krijues dhe virtuoziteti i interpretimit të këngëve, janë një pikë referimi për shumë këngëtarë profesionistë që debutojnë në skena të ndryshme edhe nëpër botë, duke transmetuar një identitet të veçantë kulturor.
Nga Ramazan Çeka

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE