Back To Top

Albradio

Lokacioni yt

Lajme
 Xhaferi merr detyrën nga Kovaçevski
29 Janar, 2024

Xhaferi merr detyrën nga Kovaçevski

Në zyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do të ulet një shqiptar – këtë të hënë është bërë pranim-dorëzimi i detyrës kryeministrore, duke shënuar një ndryshim historik në peizazhin politik të vendit të vogël ballkanik – derisa Dimtar Kovaçevski dorëzoi zyrtarisht mandatin, Talat Xhaferi u bë zyrtarisht kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Dita e parë Kryeministër. Edhe rruga më e shkurtër është vështirë të kalohet nëse nuk ke vizion, plan, drejtim dhe qëllim. Të gjitha sfidave dhe rrugëve deri tani u jam qasur me planifikim të mirë dhe qëllim të qartë. Ashtu është edhe tani, me qëllim të qartë për Republikën e Maqedonisë së Veriut evropiane”, shkroi kryeministri Xhaferi në llogarinë “Facebook” të hënën.

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut votuan të dielën për qeverinë teknike e cila do të drejtohet nga një shqiptar: ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili për një kohë drejtoi edhe legjislativin maqedonas, u fut në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut si shqiptari i parë që udhëheq me postin më të rëndësishëm në këtë shtet.

Ai u zgjodh kryeministër me 65 vota pro, vetëm 3 kundër dhe asnjë abstenim nga gjithsej 68 deputetë të pranishëm në sallë – një moment historik që reflekton kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk morën pjesë në votim. Gjithashtu, në votim nuk morën pjesë as opozita shqiptare.

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut deklaroi të dielën gjatë seancës se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisjes teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian (BE), Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Avancimi i lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, aleancën e NATO-s dhe SHBA-në, përfshirë zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndër-etnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm, drejt integrimit të suksesshëm euro-atlantik, do jenë prioritetet e qeverisjes teknike”, deklaroi Xhaferi.

Xhaferi në postin e kryeministrit zëvendëson liderin e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), i cili dha dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, bazuar në ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që 100 ditë para zgjedhjeve paralametare të emërohet një qeveri teknike që do të përkujdeset për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve më 8 maj.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, premtoi “kryeministër shqiptar” në vitin 2020. Në marrëveshjen për formimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e LSDM-së dhe BDI-së, thuhej se në 100 ditët e fundit të mandatit, qeveria teknike të drejtohej nga një zyrtar i propozuar nga BDI-ja. Dhe ky premtim tani u bë realitet.

Te tjera

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE