Xhaka: I kemi të gjitha elementet për ta fituar titullin
Diferenca e pikëve mes Bayer Leverkusenit dhe Bayern Munichut ka bërë që mesfushori Granit Xhaka mos t’i fshehë më ambiciet e ekipit të tij. Xhaka ka insistuar se ekipi i Bayer Leverkusenit ka të gjitha elementet që i duhen për të pasur sukses këtë edicion.
E sukses për Leverkusenin do të jetë titulli i kampionit të Gjermanisë me të cilin edhe do t’i jepte fund dominimit të Bayernit në dekadën e fundit.
Aktualisht Leverkuseni është lider në Bundesligë me 48 pikë, shtatë më shumë se Bayerni, i cili ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Megjithatë, Leverkuseni këtë edicion ka një formë impresive pasi është ekipi i vetëm në kampionatin gjerman që nuk di për humbje.
Pas 18 xhirove të zhvilluara ka regjistruar 15 fitore e tri barazime, ndërsa për humbje nuk di as në garat e tjera, përfshirë edhe Ligën e Evropës. Fitorja e fundit e Leverkusenit në kampionat ndaj Leipzigut tregoi karakterin e fortë të ekipit të trajnerit Xabi Alonso. Leverkuseni dy herë ishte në disavantazh, por në fund e fitoi ndeshjen me rezultatin 3:2. Sipas Xhakës, asgjë nuk është e rastësishme këtë edicion tek Leverkuseni, por gjithçka e planifikuar deri në detajin e fundit dhe meritat për këtë i ka trajneri Alonso.
“Ekipi ynë nuk është dorëzuar asnjëherë këtë edicion dhe këtë e dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit. Asnjë ndeshje dhe asnjë rezultat që e kemi marrë këtë edicion nuk ka qenë i rastësishëm, por i përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Xhaka, i cili ka insistuar se trajneri Alonso e ka transformuar tërësisht Leverkusenin. “Ai na ka sjellë shumë gjëra. Ai nuk ia lë asgjë rastit pasi kujdeset për secilin detaj. Të gjithë lojtarët e dinë se duhet të jenë në pozitat e tyre në fushë, të gjithë e dinë se si të sulmojmë kundërshtarin dhe si të futemi në zonën e tij. Pra, gjithçka është e sinkronizuar”.
Xhaka iu bashkua Leverkusenit para fillimit të këtij edicioni nga Arsenali dhe menjëherë është shndërruar në lojtarin kryesor të ekipit. Trajneri Xabi Alonso ka besim të madh në Xhakën, i cili këtë besim po ia shpërblen me paraqitje të mira. Forma e mirë këtë edicion ka bërë të gjithë tek Leverkuseni të besojnë në titullin e kampionit të Gjermanisë. Leverkuseni nuk është shpallur asnjëherë kampion i Bundesligës dhe këtë edicion po shpreson t’i japë fund kësaj pritjeje. Gjashtë herë ka dalë nënkampion, për herë të fundit në vitin 2011.
“Ne i kemi të gjitha elementet për të pasur sukses dhe për ta fituar titullin. Ky ekip di si të luajë futboll dhe ka mentalitetin e duhur për t’i shkuar deri në fund këtij rrugëtimi”, ka insistuar Xhaka.
31-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2028 me Leverkusenin, ekip që ndeshjen e radhës në Bundesligë e luan në shtëpi kundër Borussia Moenchengladbachut, të shtunën mbrëma. Xhaka ka luajtur katër edicione për Gladbachun, përpara se të transferohej tek Arsenali në vitin 2016, ku qëndroi shtatë vjet.